FIFA po përgatit një reformë të gjerë që pritet të ndryshojë ndjeshëm mënyrën e funksionimit të tregut global të futbollit. Paketa e re e rregullave, e cila pritet të hyjë në fuqi nga janari i vitit 2027, do të prekë kontratat, transferimet dhe mbrojtjen e futbollistëve të rinj.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme është vendosja e detyrueshme e klauzolës së largimit në çdo kontratë të re profesionale. Aktualisht, përfshirja e kësaj klauzole varet nga marrëveshja ndërmjet klubit dhe lojtarit, por sipas reformës së re ajo do të jetë e obligueshme për të gjitha palët.
Një tjetër risi ka të bëjë me futbollistët me paga më të ulëta. Lojtarët që fitojnë deri në 150 mijë euro në vit do të kenë të drejtë të përfitojnë 5 për qind të shumës së transferimit të tyre kur kalojnë nga një klub në tjetrin.
Me këtë masë, FIFA synon të krijojë një shpërndarje më të drejtë të përfitimeve financiare dhe të mbrojë futbollistët që zakonisht nuk marrin pjesë në fitimet e mëdha të krijuara nga transferimet e tyre.
Reforma prek edhe futbollistët e rinj. Sipas rregullave aktuale, lojtarët nën moshën 18-vjeçare nuk mund të nënshkruajnë kontrata profesionale më të gjata se tre vjet. Me ndryshimet e reja, ata do të kenë mundësi të firmosin kontrata deri në pesë vjet, njësoj si futbollistët madhorë, me kusht që të kenë qenë pjesë e akademisë së klubit për një periudhë të caktuar.
Sipas raportimeve, këto masa janë pjesë e reformës së FIFA-s për statusin dhe transferimin e futbollistëve, me synimin për të rritur sigurinë kontraktuale, stabilitetin në treg dhe drejtësinë ekonomike në futbollin profesionist.



