Sulmuesi i Francës, Ousmane Dembélé, beson se kombëtarja franceze do të jetë një nga pretendentet kryesore për ta fituar Kupën e Botës 2026, por thekson se në një turne të tillë nuk ka favorit absolut.
Ylli francez vlerësoi se disa prej kombëtareve më të forta në botë do të hyjnë me ambicie të mëdha në garën që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
“Ka shumë skuadra favorite. Argjentina është kampionia në fuqi, Spanja e fitoi Evropianin, ndërsa Anglia, Gjermania, Portugalia dhe Brazili kanë gjithashtu ekipe shumë të forta. Ne e dimë se jemi ndër favoritët, por kur fillojnë ndeshjet, gjithçka vendoset në fushë”, deklaroi Dembélé.
Sulmuesi foli edhe për trajnerin e Francës, Didier Deschamps, i cili ka paralajmëruar largimin nga stoli i “Gjelave” pas përfundimit të Botërorit 2026.
Sipas Dembélés, futbollistët francezë janë të motivuar që t’i dhurojnë një përfundim të denjë një prej trajnerëve më të suksesshëm në historinë e kombëtares.
“E dimë se ky është turneu i fundit i Deschamps. Ai na ka dhënë shumë dhe duam ta mbyllim këtë rrugëtim në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ai.
Dembélé komentoi edhe mundësinë që legjenda franceze Zinedine Zidane të marrë drejtimin e kombëtares pas largimit të Deschamps, duke e cilësuar ish-trajnerin e Real Madridit si zgjedhjen ideale për stolin e Francës.
Franca konsiderohet ndër favoritët kryesorë për triumfin në Botërorin 2026, pasi në vitet e fundit ka qenë një nga kombëtaret më të qëndrueshme në arenën ndërkombëtare.



