Anëtarja e ekipit mbrojtës të Pjetër Shalës në Dhomat e Specializuara në Hagë, Dzeneta Petraviqa, ka deklaruar se klienti i saj është i zhgënjyer me trajtimin që, sipas saj, i është bërë nga Belgjika gjatë procesit gjyqësor.
Në një deklaratë për Klan Kosovën, Petraviqa tha se çështja që lidhet me vendin e vuajtjes së dënimit është ende në shqyrtim në Dhomat e Specializuara dhe se për shkak të natyrës konfidenciale nuk mund të japë më shumë detaje.
Ajo bëri të ditur se Pjetër Shala ka shprehur pakënaqësi për mënyrën se si është trajtuar gjatë procedurave dhe, për këtë arsye, nuk dëshiron që një dënim eventual ta vuajë në Belgjikë.
“Z. Shala është ndarë ekstremisht i zhgënjyer me trajtimin që i ka bërë Belgjika gjatë procesit në Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe për këtë arsye, ai nuk do të donte ta vuante çfarëdo dënimi në Belgjikë, sidomos duke ditur se kushtet në burgjet e Belgjikës janë të këqija edhe në nivel kombëtar edhe ndërkombëtar”, ka deklaruar Petraviqa.



