E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka theksuar se partneriteti ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës mbetet i fortë dhe do të vazhdojë të thellohet në fusha të ndryshme.
Në fjalimin e saj gjatë ceremonisë së organizuar për shënimin e 250-vjetorit të shtetësisë amerikane, Prattipati tha se historia e Amerikës është ndërtuar jo vetëm në vendin e saj, por edhe përmes miqësive dhe partneriteteve të krijuara në mbarë botën.
“Pak miqësi e pasqyrojnë këtë frymë më qartë se ajo midis Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës – një marrëdhënie e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, respekt të ndërsjellë dhe një besim të përbashkët në një të ardhme të përcaktuar nga mundësitë dhe siguria”, deklaroi ajo.
Prattipati theksoi se Kosova ka dëshmuar vazhdimisht mbështetje për prioritetet amerikane, ndërsa SHBA-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur Kosovën në ndërtimin e institucioneve demokratike, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e sigurisë.
Ajo vlerësoi potencialin e Kosovës për të tërhequr investime amerikane, duke theksuar se bashkëpunimi në mbrojtje, tregti, energji dhe investime ekonomike ofron mundësi të mëdha për të dyja vendet.
Në fund të fjalimit, Prattipati u bëri thirrje të rinjve të Kosovës që të vazhdojnë të investojnë në dije, inovacion dhe lidership, duke theksuar se ata do të jenë faktorët kryesorë në ndërtimin e së ardhmes së vendit dhe të partneritetit me Shtetet e Bashkuara.



