Shëndetësi

Mjekët e QKUK-së rikthejnë dëgjimin te një paciente pas 18 vitesh humbje të rëndë të dëgjimit

Një sukses i rëndësishëm është shënuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku në Klinikën e Otorinolaringologjisë (ORL) është realizuar me sukses një intervenim kirurgjikal që i ka rikthyer dëgjimin një pacienteje pas 18 vitesh vështirësi të mëdha dëgjimi.

Sipas njoftimit të QKUK-së, pacientja kishte vuajtur për vite me radhë nga humbja e rëndë e dëgjimit, gjë që kishte ndikuar ndjeshëm në komunikimin dhe cilësinë e jetës së saj.

Ajo kishte kërkuar trajtim në qendra të ndryshme shëndetësore brenda dhe jashtë Kosovës, por pa arritur rezultatet e dëshiruara. Pas vlerësimeve të hollësishme klinike, ekzaminimeve diagnostike dhe analizës multidisiplinare të rastit, mjekët e Klinikës së ORL-së vendosën ta trajtojnë përmes një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Operacioni u realizua me sukses, ndërsa pas trajtimit dhe qëndrimit disa ditor në klinikë, pacientja u lirua në gjendje të mirë shëndetësore.

Sipas QKUK-së, testet e dëgjimit të kryera pas operacionit kanë treguar përmirësim të dukshëm të dëgjimit dhe të aftësisë së komunikimit, duke shënuar një ndryshim të madh në jetën e pacientes.