Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 22 qershor 2026 janë konfirmuar gjithsej 40 raste me fruth në vend, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar katër raste të reja.
Sipas të dhënave të publikuara, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Ferizaj me 11 raste, pasuar nga Prishtina me 9 dhe Kaçaniku me 6 raste. Raste të tjera janë evidentuar edhe në disa komuna të tjera të Kosovës.
IKSHPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm ndaj simptomave të fruthit, si temperatura e lartë, skuqjet në lëkurë, kolla, rrufa dhe konjuktiviti, duke kërkuar paraqitje të menjëhershme në institucionet shëndetësore në rast dyshimi.
Instituti ka theksuar se vaksinimi mbetet mënyra më efektive për parandalimin e sëmundjes dhe ka ftuar prindërit të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre sipas kalendarit të rregullt të imunizimit.



