Mohamed Salah dhe Liverpool: Nga lidhja e artë te krisja më dramatike e dekadës

Në dhjetë vitet e fundit, pak futbollistë kanë ndikuar te Liverpool aq sa Mohamed Salah. “Mbreti egjiptian” jo vetëm që u shndërrua në një prej figurave më të dashura të tifozëve, por edhe në një nga lojtarët më të mirë të botës. Me dy tituj të Premier League-s, një Champions League dhe një Botëror Klubesh, ai ishte motori i një epoke të artë te “The Reds”. Por këto javë, marrëdhënia që dukej e pathyeshme është përballur me një shembje të papritur.

Shenjat e para të krisjes

Që sezonin e kaluar, para triumfit të Liverpool në kampionat, u duk se diçka po lëkundej. E ardhmja e Salah u përfol gjatë, pasi nuk kishte qartësi për rinovimin e tij. Kontrata e re e firmosur në fund të sezonit dukej se shuante çdo dyshim… të paktën përkohësisht.

Vetëm shtatë muaj më pas, situata ka marrë kthesë dramatike. Një fillim sezoni i dobët për Liverpoolin dhe forma jo në maksimum e Salah, e kanë çuar egjiptianin në stol – një vendim që, sipas tij, është i pamerituar dhe i paqartë.

Deklarata që tronditi Anfield-in

Pas barazimit 3-3 ndaj Leeds, Salah hodhi “bombën” në intervistë duke shprehur pakënaqësi të thellë:

“Jam shumë i zhgënjyer. Kam bërë kaq shumë për këtë klub dhe tani jam në stol. Dukem sikur jam hedhur nën autobus.”

Ai shkoi edhe më tej, duke vënë në shënjestër drejtpërdrejt klubin dhe trajnerin Arne Slot:

“M’u premtuan gjëra në verë, por nuk janë mbajtur. Dikur kisha një raport të mirë me trajnerin. Tani duket se dikush s’më do në klub.”

Këto deklarata ndezën menjëherë debat në Angli. Jamie Carragher i quajti “të shëmtuara” dhe një përpjekje të llogaritur për presion maksimal, ndërsa Wayne Rooney paralajmëroi se Salah po rrezikon të dëmtojë trashëgiminë e tij te Liverpool.

Reagimi i Liverpoolit dhe Slot

Arne Slot, i vënë tashmë nën presion për shkak të rezultateve, nuk u shfaq i impresionuar nga deklaratat e sulmuesit. Ai konfirmoi se Salah nuk do të ishte pjesë e ekipit kundër Interit në Champions League, duke dhënë një sinjal të fortë disipline.

“Nuk është hera e parë që një lojtar i pakënaqur flet kështu. Përgjigjja jonë është e qartë: ai nuk është me ne sonte.”

Trajneri la të hapur edhe mundësinë që Salah ta ketë luajtur tashmë ndeshjen e tij të fundit me fanellën e kuqe.

A është fundi i historisë së artë?

E ardhmja e Salah është më e paqartë se kurrë. Ai pritet t’i bashkohet kombëtares egjiptiane për Kupën e Kombeve të Afrikës, periudhë që përkon me hapjen e merkatos së janarit. Spekulimet për një transferim janë shtuar ndjeshëm.

Arabia Saudite mbetet destinacioni më realist, duke parë ofertat e mëparshme dhe interesin e vazhdueshëm të klubeve atje. Megjithatë, edhe Serie A ka shfaqur interes – një kampionat ku Salah është ndier si në shtëpi më parë.

Përshëndetja e tij e gjatë me tifozët në Elland Road u interpretua nga shumë si një lamtumirë e heshtur. Nëse ky është fundi, do të mbyllet një histori dashurie që ndryshoi identitetin modern të Liverpoolit, por që, si shumë kapituj të mëdhenj sportivë, mund të përfundojë në mënyrë të papritur e të dhimbshme.