Sot është “Kylian Mbappé-Day”.
Ylli francez u zyrtarizua para pak çastesh si futbollist i Real Madridit derisa e mbajti në duar fanellën me numrin 9, të cilën do ta veshë në “Santiago Bernabeu”, e në ndërkohë e nënshkroi edhe kontratën me “Los Blancos” deri në vitin 2029.
Debutimi i Mbappes në fanellën e bardhe mund të varet nga roli i Kombëtares franceze që e kishte në Euro 2024.
Lojtarët që kanë shkuar deri në gjysmëfinale nuk do të marrin pjesë në turneun e djelmoshave të Carlo Ancelottit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të përballen me Milanin më 31 korrik, me Barcelonën më datën 3 gusht dhe me Chelsean tri ditë më vonë, më 6 të muajit që vjen.
Sidoqoftë, debutimi i tij me “Los Blancos” mund të ndodhë më 14 gusht, në ndeshjen e Superkupës së Evropës kundër Atalantës në “PGE Narodowy Stadium” të Varshavës në Poloni.
Mbappe do të pritet nga më shumë se 80 mijë tifozë në stadiumin “Santiago Bernabeu” sot në mesditë, ndërsa konferenca për shtyp e prezantimit të tij pritet të nisë në orën 12:00. /Ekonomia Online/