07.06.2026
Demokracia në Veprim (DnV) ka prezantuar gjetjet e para nga monitorimi i procesit zgjedhor në zgjedhjet parlamentare që po mbahen sot në Kosovë.
Drejtori ekzekutiv i DnV-së, Ismet Kryeziu, bëri të ditur se sipas raportimeve të vëzhguesve në terren, një pjesë e vogël e vendvotimeve nuk janë hapur në kohën e paraparë, kryesisht për shkak të mungesës së komisionerëve dhe, në disa raste, për shkak të mungesës së kabinave të votimit.
“Në nivel vendi janë gjithsej 2,550 vendvotime, prej tyre 2,498 të rregullta dhe 52 me kusht. Sipas të dhënave fillestare, rreth 1.6 për qind e vendvotimeve janë hapur me vonesë”, tha Kryeziu.
Ai shtoi se në rreth 2 për qind të vendvotimeve janë evidentuar probleme me funksionimin ose pozicionimin e kamerave të sigurisë, çka sipas DnV-së mund të ndikojë në ruajtjen e fshehtësisë së votës.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga organizata lidhet me përfaqësimin gjinor në komisionet zgjedhore. Sipas të dhënave të monitorimit, në 16 për qind të vendvotimeve nuk ka asnjë grua të angazhuar si anëtare e komisionit.
DnV ka vënë në pah edhe sfidat me qasjen për personat me aftësi të kufizuara. Sipas raportit preliminar, rreth 19 për qind e qendrave të votimit nuk ofrojnë kushte të përshtatshme për qasje të lehtë, duke vështirësuar pjesëmarrjen e plotë të kësaj kategorie të qytetarëve në procesin zgjedhor.
Po ashtu, vëzhguesit kanë raportuar raste të vendosjes së materialeve promovuese të subjekteve politike pranë qendrave të votimit, ndonëse legjislacioni zgjedhor ndalon aktivitetet propaganduese brenda një distance prej 100 metrash nga vendvotimet.
DnV theksoi se do të vazhdojë monitorimin e procesit gjatë gjithë ditës dhe do të publikojë raportime të tjera lidhur me ecurinë e votimit në vend.