Anëtari i PDK-së, Xhavit Haliti, ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës nuk ka vija të kuqe për bashkëqeverisje me asnjë subjekt politik, por ka theksuar se çdo bisedim për koalicion duhet të jetë serioz dhe të marrë parasysh kërkesat e partisë.
Haliti tha se PDK-ja është e hapur për diskutime, por se ende nuk ka pasur bisedime konkrete për formimin e një qeverie nga partitë që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar.
Sipas tij, Kosovës i nevojitet një qeveri stabile me mandat të plotë, e cila do të mundësonte edhe zgjedhjen e presidentit të vendit.
Duke komentuar rezultatin zgjedhor të PDK-së, e cila u rendit e dyta me 21.12 për qind të votave, Haliti tha se partia kishte pritur rezultat më të mirë. Ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për ndikim në procesin zgjedhor përmes ndarjes së mjeteve financiare për kategori të ndryshme të qytetarëve gjatë fushatës.
Haliti komentoi edhe daljen e ulët në zgjedhje, duke vlerësuar se zgjedhjet e shpeshta dhe moti i mirë kanë ndikuar që shumë qytetarë të mos marrin pjesë në votim.



