Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas publikimit të rezultateve të fundit zgjedhore, duke e cilësuar rezultatin e arritur në zgjedhjet e 7 qershorit si një “fitore madhështore dhe bindëse”.
Megjithëse krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 ka shënuar rënie në numrin e votave, partia e drejtuar nga Albin Kurti vazhdon të mbetet forca më e madhe politike në vend.
Sipas të dhënave zgjedhore, Vetëvendosje kishte siguruar 487,077 vota ose 51.10 për qind në zgjedhjet e dhjetorit 2025, ndërsa në zgjedhjet e 7 qershorit ka marrë 382,865 vota ose 47.13 për qind, mbi 100 mijë vota më pak se në procesin paraprak zgjedhor.
Pavarësisht këtij rezultati, LVV-ja ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë.
“Faleminderit të gjithë qytetarëve të Republikës, brenda dhe jashtë Kosovës për edhe një fitore madhështore dhe bindëse!”, thuhet në postimin e partisë.
Rezultati i 7 qershorit e mban Vetëvendosjen si subjektin më të votuar në vend dhe forcën kryesore në procesin e formimit të institucioneve të reja.



