07.06.2026
Pejë – Kandidati politik Veton Berisha ka njoftuar se ka paraqitur një denoncim në Policinë e Kosovës ndaj ministrit në detyrë, Elbert Krasniqi, duke pretenduar se ai ka ushtruar presion ndaj qytetarëve në një fshat të banuar nga komuniteti egjiptian në komunën e Pejës.
Sipas Berishës, pas ankesave të marra nga banorët e zonës, ai ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes ku, sipas tij, ministri Krasniqi është parë duke lëvizur me veturë zyrtare dhe i shoqëruar nga bashkëpunëtorë dhe sigurimi personal.
Berisha pretendon se prania e ministrit dhe e personave që e shoqëronin ka ndikuar negativisht në atmosferën zgjedhore dhe ka krijuar shqetësim te votuesit.
“Kam siguruar pamje nga terreni dhe konsideroj se kjo sjellje është e papranueshme. Qytetarët na kanë raportuar se ndihen të frikësuar dhe se prezenca e tij po ndikon në procesin e votimit. Rasti është raportuar në polici dhe është hapur procedurë për trajtim të mëtejshëm”, deklaroi Berisha.
Lidhur me këto pretendime, deri më tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga ministri në detyrë, Elbert Krasniqi.