Lajme

Vetëdorëzohet i dyshuari për plagosjen e Shkëlqim Kastratit në Prishtinë

Personi i dyshuar për plagosjen e ndodhur më 16 qershor në Prishtinë është vetëdorëzuar në polici dhe është ndaluar për 48 orë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se i dyshuari është paraqitur në stacionin policor gjatë ditës së djeshme.

Sipas policisë, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe në koordinim me prokurorin e shtetit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Në këtë rast i plagosur kishte mbetur Shkëlqim Kastrati. Autoritetet kanë njoftuar se hetimet për rastin e cilësuar si “tentim vrasje” janë duke vazhduar.

Kastrati është përmendur edhe më herët në raste të ndryshme që lidhen me incidente me armë zjarri në Prishtinë, ndërsa në muajin maj ishte arrestuar lidhur me një ngjarje në “Rrugën B”.