Lajme

Vdes një person në Aeroportin “Adem Jashari”, iu përkeqësua gjendja shëndetësore

Një person ka humbur jetën të dielën në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, pasi kishte pësuar probleme shëndetësore.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 14 qershor 2026, rreth orës 17:13.

Viktima, një mashkull kosovar, fillimisht është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ka ndërruar jetë.

“Lidhur me rastin, viktimës mashkull kosovar pasi i ishin shfaqur probleme shëndetësore i njëjti është dërguar në QKUK ku më pas ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kompetent”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa autoritetet po merren me procedurat e mëtejshme lidhur me rastin.