Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka njoftuar se pas përfundimit të procesit të votimit të fshehtë dhe numërimit të votave, në raundin e parë janë zgjedhur dy anëtarë të rinj të këtij institucioni.
Me shumicën e votave të gjyqtarëve, anëtare e KGJK-së është zgjedhur gjyqtarja Valentina Sopjani nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndërsa anëtar është zgjedhur edhe gjyqtari mbikëqyrës Agron Maxhuni nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, Dega në Vushtrri.
Sipas njoftimit të KGJK-së, procesi zgjedhor është zhvilluar në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqësorit.
Rezultatet do të certifikohen nga KGJK-ja, ndërsa anëtarët e zgjedhur do të fillojnë ushtrimin e mandatit pesëvjeçar nga 8 korriku 2026.
Valentina Sopjani aktualisht ushtron detyrën e gjyqtares në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Civile në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa Agron Maxhuni është gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Dega në Vushtrri.



