Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar mundësinë e vendosjes së tarifave për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme për transportin global të naftës dhe gazit.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump deklaroi se nuk do të ketë tarifa kalimi gjatë periudhës 60-ditore të armëpushimit dhe as pas përfundimit të saj, përveç rasteve kur ato vendosen nga vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai theksoi se tarifat e mundshme do të justifikoheshin si kompensim për rolin që SHBA-ja luan në garantimin e sigurisë në rajon, duke e përshkruar vendin e tij si “Engjëlli Mbrojtës” i Lindjes së Mesme.
Deklarata e Trumpit vjen në një kohë kur vëmendja ndërkombëtare mbetet e përqendruar te siguria e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon një pjesë e konsiderueshme e furnizimit global me energji.



