Tre persona kanë mbetur të lënduar pas një përleshjeje fizike që ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në rrugën “Papa Gjon Pali” në Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka bërë të ditur se rreth orës 20:00 policia ka pranuar informatën për një konflikt mes disa personave.
“Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku sipas informacioneve fillestare tre persona kanë mbetur të lënduar, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor”, deklaroi Pllana.
Sipas tij, dy nga të lënduarit dyshohet se kanë marrë plagë nga arma e zjarrit.
Policia ka nisur hetimet për rastin dhe njësitet relevante janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Rasti është në procedurë hetimore, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë lidhur me të dyshuarit apo motivet e incidentit, raporton Gazeta Express.



