Gjykata Supreme e Kosovës ka lënë në fuqi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me gjobën prej 5.100 eurosh të shqiptuar për përfshirjen e një të miture në një aktivitet të fushatës zgjedhore.
Rasti ka të bëjë me një tubim zgjedhor të mbajtur më 31 maj 2026 në Vushtrri, ku një vajzë 10-vjeçare kishte dalë në skenë dhe kishte recituar para pjesëmarrësve, e veshur me elemente që përmbanin logon e subjektit politik.
PZAP kishte pranuar si të bazuara ankesat e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), duke e gjobitur LVV-në me 5.100 euro për shkelje të rregullave zgjedhore.
Në ankesën e paraqitur në Gjykatën Supreme, LVV kishte argumentuar se e mitura nuk kishte qenë pjesë e programit zyrtar të organizuar nga partia dhe se paraqitja e saj kishte ardhur me iniciativën e vetë fëmijës, në prani të prindit.
Megjithatë, Gjykata Supreme vlerësoi se këto pretendime nuk qëndrojnë. Sipas vendimit, nuk është me rëndësi se kush e ka iniciuar pjesëmarrjen e të miturës, por fakti që organizatori i aktivitetit ka lejuar angazhimin e saj në një aktivitet zgjedhor.
Gjykata iu referua nenit 5, paragrafi 3 të Rregullores Zgjedhore nr. 07/2024, i cili ndalon angazhimin e personave nën moshën 15-vjeçare në fushata zgjedhore.
Sipas Supremes, organizatori i tubimit mban përgjegjësi për menaxhimin e aktivitetit dhe për personat që paraqiten në skenë para pjesëmarrësve. Në këtë rast, pjesëmarrja aktive e vajzës 10-vjeçare është konsideruar shkelje e qartë e rregullores zgjedhore.
Gjykata theksoi se dispozitat ligjore synojnë mbrojtjen e interesit më të mirë të fëmijëve dhe parandalimin e përfshirjes së tyre në aktivitete politike dhe zgjedhore.
Për rrjedhojë, ankesa e LVV-së është refuzuar si e pabazuar, ndërsa vendimi i PZAP-së për gjobën prej 5.100 eurosh ka mbetur në fuqi.



