Ministria e Mbrojtjes e Sllovenia ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka plane për të reduktuar numrin e ushtarëve të saj të angazhuar në misionin paqeruajtës të KFOR në Kosovë.
Në një deklaratë të cituar nga agjencia sllovene e lajmeve STA, ministria theksoi se çdo vendim i ardhshëm për ndryshime në angazhimin ushtarak do të bazohet në një vlerësim të plotë të situatës dhe nevojave të misionit.
“Çdo vendim lidhur me përshtatjet e mundshme të angazhimit të ardhshëm të Forcave të Armatosura Sllovene në KFOR do të merret pas një vlerësimi gjithëpërfshirës, duke marrë parasysh nevojat e misionit dhe kapacitetet tona”, thuhet në deklaratë.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Sllovenisë, aktualisht 106 pjesëtarë të Forcave të Armatosura Sllovene janë të angazhuar në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë.
Ky qëndrim vjen në një kohë kur është diskutuar për rishikimin e pranisë së trupave ndërkombëtare në Kosovë, pas vlerësimeve të NATO-s se situata e sigurisë në vend ka shënuar përmirësime.



