Lajme

Azemi ngre dyshime për shtesat prej 100 eurosh: Mund të mos ekzekutohen fare për sektorin privat

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me vonesat në ekzekutimin e shtesave prej 100 eurosh për punëtorët e sektorit privat, duke paralajmëruar se ekziston mundësia që këto mjete të mos shpërndahen fare.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Azemi tha se pas përfundimit të zgjedhjeve nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar nga institucionet përgjegjëse për afatin e pagesave, ndonëse para zgjedhjeve zyrtarët qeveritarë informonin vazhdimisht për procedurat e realizimit të tyre.

“Punëtorët e sektorit privat gjithmonë dëmtohen kur bëhet fjalë për ndarjet financiare. Shuma prej 100 eurosh është simbolike, por është premtuar dhe qytetarët presin realizimin e saj. Pas zgjedhjeve nuk kemi parë asnjë deklarim se kur do të bëhet pagesa”, ka thënë Azemi.

Sipas tij, mungesa e transparencës po krijon pasiguri dhe dyshime tek punëtorët, të cilët po kërkojnë sqarime të vazhdueshme për fatin e kësaj mbështetjeje financiare.

Azemi ka deklaruar se, ndonëse pensionistët dhe kategori të tjera kanë përfituar nga pakot mbështetëse, punëtorët e sektorit privat ende nuk kanë marrë asnjë informacion konkret për ekzekutimin e mjeteve.

Ai shtoi se informacionet jozyrtare që ka marrë sindikata nuk ofrojnë garanci se procesi po zhvillohet sipas planit, ndërsa kërkoi nga Ministria e Financave dhe kryeministri në detyrë që të dalin publikisht me një sqarim.

Kreu i sindikatës e lidhi situatën edhe me periudhën zgjedhore, duke përsëritur qëndrimin e tij se shtesat prej 100 eurosh u promovuan me intensitet gjatë fushatës, ndërsa tani mungojnë informacionet për zbatimin e tyre.

Ndërkohë, Qeveria në detyrë kishte miratuar më 22 maj pakon “Inflacioni 2.0”, e cila parashihte mbështetje financiare prej 100 eurosh për pensionistët, studentët, fëmijët dhe punëtorët e sektorit privat, si dhe rritje të shtesave për lehonat.

Deri më tani, shtesat nuk janë ekzekutuar për studentët dhe punëtorët e sektorit privat.