Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) ka njoftuar se të premten ka nënshkruar kontratat për realizimin e punimeve për sanimin e skarpateve në autostradën “Ibrahim Rugova” (R7), pas përfundimit të procedurave të prokurimit dhe shqyrtimit të ankesës në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
Sipas njoftimit të ministrisë, projekti përfshin ndërhyrje në tri lokacione të ndryshme përgjatë autostradës dhe ka një vlerë totale prej 4.67 milionë euro.
Projektet janë të ndara në tre lote:
- Loti 1 – Sanimi i rrëshqitjes në kilometrin 72.4, me vlerë 2,087,952.94 euro;
- Loti 2 – Sanimi i rrëshqitjeve në kilometrat 69.1 dhe 63.4, me vlerë 1,187,080.09 euro;
- Loti 3 – Sanimi i rrëshqitjes në kilometrin 44.0, me vlerë 1,398,964.85 euro.
Ministria ka bërë të ditur se projekti synon trajtimin e segmenteve që kërkojnë ndërhyrje të specializuara, me qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe mbrojtjen e infrastrukturës rrugore.
“Sipas planifikimeve, mobilizimi i operatorëve ekonomikë dhe fillimi i punimeve do të bëhet gjatë ditëve në vijim”, thuhet në njoftimin e MIT-it.
Njoftimi vjen një ditë pasi në autostradën “Ibrahim Rugova” ndodhi një vetaksident me pasoja fatale, ku një grua humbi jetën dhe një burrë mbeti i lënduar.
Pas aksidentit, zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ngritën shqetësime për gjendjen e rrugës dhe kërkuan përgjegjësi institucionale.
Ministria theksoi se procedurat ligjore dhe proceset e shqyrtimit në OSHP kanë ndikuar në afatet e realizimit të projektit dhe se nuk ka pasur mundësi të ndikojë në përshpejtimin e vendimmarrjes.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë, funksionalitetin dhe qëndrueshmërinë e rrjetit rrugor të Republikës së Kosovës, duke garantuar ndërhyrje të nevojshme në akset me rëndësi strategjike për vendin”, thuhet në njoftim.
Foto: KALLXO.COM



