Lajme

Raportuesi i PE-së: Kosova duhet ta marrë statusin e vendit kandidat për në BE

Image ref 67229218. Copyright Rex Shutterstock No reproduction without permission. Please see www.rexfeatures.com for more information.

Raportuesi për Kosovën në Parlamenti Evropian, Riho Terras, ka prezantuar raportin e tij për Kosovën, duke theksuar se prioritet kryesor mbetet avancimi i vendit drejt integrimit evropian dhe marrja e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Terras tha se është me rëndësi jetike që Kosova të vazhdojë rrugën e saj drejt BE-së dhe të ruajë mbështetjen e lartë qytetare për integrimin evropian.

“Si raportues i Parlamentit Evropian për Kosovën, është shumë e rëndësishme për mua që Kosova ta fitojë statusin e vendit kandidat. Është me rëndësi jetike që Kosova të vazhdojë rrugën e saj evropiane dhe që mbështetja në nivel të lartë për integrimin evropian të vazhdojë”, është shprehur ai.

Duke folur për zhvillimet politike në vend, Terras tha se Kosova ka kaluar një periudhë të vështirë politike, me disa procese zgjedhore brenda një kohe të shkurtër.

“Viti i fundit ka qenë politikisht jashtëzakonisht i vështirë për Kosovën. Në pak më shumë se një vit janë mbajtur tre palë zgjedhje parlamentare dhe një palë zgjedhje lokale. Vendi ka qenë vazhdimisht në një gjendje fushate zgjedhore”, deklaroi ai.

Sipas raportuesit evropian, ndonëse mbajtja e zgjedhjeve dëshmon funksionimin e një demokracie të gjallë, një situatë e tillë e bën të vështirë ushtrimin efektiv të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv.

Terras u ndal edhe te dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se procesi ka ngecur prej kohësh.

“Dialogu ka ngecur për një kohë të gjatë. Sfidat që po përballet Kosova janë serioze, por kosovarët janë pro-evropianë”, ka theksuar ai.