Lajme

Dalin rezultatet e para nga votat në ambasada, Vetëvendosje prin me 84%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur publikimin e rezultateve të para nga votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës jashtë vendit.

Sipas të dhënave të deritanishme, pas numërimit të 2 nga gjithsej 47 kuti votimi, që përbëjnë 4.26 për qind të totalit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kryeson bindshëm me 84 për qind të votave, apo 1,024 vota.

Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka siguruar 92 vota ose 7.55 për qind.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pozicionohet e treta me 66 vota, që përbëjnë 5.4 për qind të votave të numëruara deri më tani.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 23 vota nga kutitë e procesuara.

Rezultatet mbeten preliminare dhe pritet të ndryshojnë me vazhdimin e numërimit të kutive të mbetura nga votimi në përfaqësitë diplomatike.