Lajme

Rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje është thirrje zgjimi për politikën në Kosovë

Kryesuesi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), Iulian Bulai, ka vlerësuar se zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe pa incidente madhore, por ka paralajmëruar se rënia e pjesëmarrjes së qytetarëve në votime duhet të shërbejë si një “thirrje zgjimi” për klasën politike.

Pas misionit vëzhgues në Kosovë, Bulai tha se zgjedhjet u mbajtën në një atmosferë lodhjeje dhe frustrimi të votuesve, pas tri proceseve zgjedhore brenda 16 muajve.

Sipas tij, procesi zgjedhor ishte i organizuar mirë në aspektin teknik, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve meritoi vlerësim për menaxhimin dhe certifikimin gjithëpërfshirës të subjekteve politike.

Megjithatë, ai ngriti shqetësime për pretendimet mbi keqpërdorimin e burimeve shtetërore gjatë fushatës, dezinformimin në rrjetet sociale, përdorimin e inteligjencës artificiale dhe ndërhyrjet nga Serbia për të ndikuar votën e komunitetit serb në Kosovë.

Bulai u bëri thirrje partive politike që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të arrijnë kompromiset e nevojshme për krijimin e institucioneve të reja.

“Politikanët duhet ta marrin seriozisht besimin që u është dhënë nga qytetarët dhe të fillojnë një dialog të vërtetë për të shmangur lodhjen dhe zhgënjimin e mëtejshëm të qytetarëve”, tha ai.

Delegacioni shtatëanëtarësh i PACE-it qëndroi në Kosovë nga 5 deri më 8 qershor për të vëzhguar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.