Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas debatit të krijuar rreth pjesëmarrjes së disa shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat kundër qeverisë së tij në Tiranë, duke kërkuar që emri i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të mos përfshihet në këtë çështje.
Në një postim të gjatë në Facebook, Rama kritikoi organizimin e protestuesve që, sipas tij, janë paraqitur si “diasporë”, duke theksuar se shqiptarët e Kosovës kanë shtetin e tyre, ndërsa ata të Maqedonisë së Veriut janë popull shtetformues në vendin ku jetojnë.
Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh kritik edhe ndaj përdorimit të flamurit të UÇK-së në protestat kundër qeverisë në Tiranë, duke e cilësuar këtë veprim si përdhosje të një simboli të luftës çlirimtare.
Megjithatë, në fund të reagimit të tij, Rama theksoi se nuk e konsideron Albin Kurtin përgjegjës për veprimet e individëve që morën pjesë në protesta dhe kërkoi që ai të mos përfshihet në debatin e krijuar.
“Do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata. Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”, shkroi Rama.



