Lajme

Prishtina shënon 27-vjetorin e Çlirimit, Rama: Të ndërtojmë një kryeqytet të denjë për sakrificën e dëshmorëve

Në kuadër të shënimit të 27-vjetorit të Çlirimit të Prishtinës, Kuvendi Komunal ka mbajtur një seancë solemne me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë, veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarëve të forcave të sigurisë dhe mysafirëve të shumtë.

Gjatë seancës u vlerësua sakrifica për liri, rrugëtimi i shtetndërtimit dhe zhvillimi i kryeqytetit gjatë 27 viteve të fundit.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se liria e fituar me sakrificë duhet të shoqërohet me përgjegjësi për ndërtimin e një shteti dhe kryeqyteti më të zhvilluar për brezat e ardhshëm.

“Sot jemi në një seancë simbolike ku takohet historia me të ardhmen. Kemi veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që sollën lirinë dhe institucionet që sot e mbrojnë atë. Kjo është dëshmia më e bukur e rrugëtimit tonë nga rezistenca te shtetndërtimi”, tha Rama.

Ai theksoi se Dita e Çlirimit nuk është vetëm ditë feste, por edhe ditë përgjegjësie për të ndërtuar institucione dhe projekte që nderojnë sakrificën e dëshmorëve.

Rama përmendi përfundimin e varrezave të dëshmorëve në Makoc, Marec dhe Prishtinë, si dhe projektet për memorialin e familjes Jashari dhe Parkun Memorial me bibliotekën presidenciale “Ibrahim Rugova”.

“Prishtina që po ndërtojmë është një kryeqytet që investon në kujtesë, por edhe në arsim, kulturë, teknologji dhe mundësi për të rinjtë. Brezi ynë duhet të lërë dëshminë e zhvillimit dhe të dijes”, deklaroi ai.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina, tha se liria e Kosovës është rezultat i sakrificës së brezave të tërë dhe se kujtesa për dëshmorët mbetet pjesë e pandashme e ndërgjegjes kombëtare.

Ai vlerësoi kontributin e ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, si dhe rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

Në emër të veteranëve foli edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, i cili kujtoi rëndësinë historike të 11 qershorit 1999.

“Sot shënojmë ditën kur liria u bë e prekshme. Ushtria Çlirimtare e Kosovës arriti të krijojë aleancë me shtetet demokratike dhe të sjellë lirinë për popullin e Kosovës. Kjo është një dëshmi se Kosova ka ecur gjithmonë përpara në partneritet me botën demokratike”, tha Mustafa.

Në përfundim të seancës, pjesëmarrësit nderuan me respekt dëshmorët, martirët dhe të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.