Kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi, ka bërë të ditur se nga 1 qershori qytetarët e kësaj komune nuk do të kenë më obligim t’i paguajnë faturat për grumbullimin e mbeturinave.
Në një lidhje direkte në Kanal 10, Thaçi ka folur për projektet që e presin komunën gjatë vitit 2026, ndërsa ka ndarë edhe atë që e quajti një lajm të mirë për banorët e Obiliqit.
Sipas tij, prej fillimit të muajit qershor, pagesat për shërbimin e menaxhimit të mbeturinave nuk do të mbulohen më nga qytetarët, por nga vetë komuna.
“Prej 1 qershorit qytetarët nuk i detyrohen më kompanisë për mbeturinat, pasi tash e tutje këto pagesa do t’i mbulojë Komuna e Obiliqit”, ka deklaruar Thaçi.
Ai tha se ky vendim synon të lehtësojë barrën financiare për familjet e komunës dhe të përmirësojë ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët.
Thaçi po ashtu paralajmëroi se gjatë vitit 2026 do të realizohen edhe projekte të tjera zhvillimore në komunë, të cilat synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve për banorët e Obiliqit.



