Lajme

Analistët: Kosova mes kompromisit politik dhe rrezikut për një ngërç të ri institucional

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 7 qershorit kanë krijuar mundësi numerike për formimin e institucioneve, por analistët vlerësojnë se mungesa e vullnetit politik mund ta çojë vendin në një tjetër ngërç institucional.

Sipas rezultateve të deritanishme të KQZ-së, LVV prin me 42.91 për qind të votave, e ndjekur nga PDK me 21.08 për qind, LDK me 17.60 për qind, AAK me 7.17 për qind dhe Lista Serbe me 6.17 për qind.

Njohësja e proceseve politike, Donika Emini, vlerëson se në rrethana normale politike këto rezultate do të krijonin bazë të mjaftueshme për formimin e institucioneve, por polarizimi i thellë politik rrezikon të prodhojë një krizë të re.

Edhe politologu Dritëro Arifi thekson se problemi nuk qëndron te numrat, por te mungesa e gatishmërisë për kompromis politik.

Sipas analistëve, koalicioni më i qëndrueshëm do të ishte ai ndërmjet LVV-së dhe njërës nga partitë e mëdha opozitare, megjithëse çështja e zgjedhjes së presidentit mbetet pengesa kryesore për çdo marrëveshje.

Ata paralajmërojnë se në mungesë të kompromisit, Kosova mund të përballet me bllokada të reja institucionale, madje edhe me zgjedhje të tjera të parakohshme, gjë që do të ndikonte negativisht edhe në procesin e integrimit evropian dhe raportet me partnerët ndërkombëtarë.