Lajme

Ndalohet një person pas vdekjes së 25-vjeçarit në vendin e punës në Prizren

Një person është ndaluar për 48 orë lidhur me rastin e vdekjes së Valmir Morinës, 25-vjeçarit nga Drenoci i Malishevës, i cili humbi jetën pas një aksidenti të rëndë në një objekt ndërtimi në Prizren.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se viktima është dërguar pa shenja jete në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Arbana” rreth orës 09:00 të mëngjesit.

Sipas informatave fillestare, i riu ishte duke punuar në një objekt ndërtimi kur, gjatë procesit të betonimit, dyshohet se është goditur nga një pjesë e pajisjes së punës, duke pësuar lëndime fatale në vendin e ngjarjes.

Policia ka konfirmuar se një person është ndaluar si i dyshuar për 48 orë, ndërsa hetimet po zhvillohen në koordinim me Inspektoratin e Punës për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit.