Lajme

NATO paralajmëron zvogëlimin e trupave të KFOR-it në Kosovë

NATO ka njoftuar se gjatë vitit të ardhshëm do të nisë një reduktim gradual të pranisë së trupave të KFOR-it në Kosovë, duke vlerësuar se situata e sigurisë në vend është përmirësuar dhe mbetet përgjithësisht e qëndrueshme.

Vendimi është marrë pas një shqyrtimi të plotë dhe një vlerësimi të bazuar në inteligjencë të gjendjes së sigurisë në Kosovë.

“Ndërsa siguria në Kosovë mbetet përgjithësisht e qëndrueshme, NATO do të optimizojë praninë e KFOR-it në Kosovë dhe do të përshtatë gradualisht nivelin aktual të forcës së tij gjatë vitit të ardhshëm”, thuhet në komunikatën e Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE).

NATO rikujtoi se numri i ushtarëve të KFOR-it është përshtatur vazhdimisht sipas zhvillimeve në terren. Pas tensioneve dhe incidenteve të dhunshme në veri të Kosovës gjatë vitit 2023, Aleanca kishte shtuar rreth 1,000 trupa shtesë për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin.

Sipas SHAPE, me stabilizimin e situatës së sigurisë, është krijuar mundësia për një rishikim të pranisë ushtarake pa cenuar misionin e KFOR-it.

“Prania e KFOR-it mund të përshtatet sipas rrethanave, duke vazhduar të garantojë në mënyrë efektive një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet në njoftim.

Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën (SACEUR), Alexus G. Grynkewich, tha se përmirësimi i stabilitetit dhe rritja e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë në Kosovë kanë krijuar kushtet për optimizimin e misionit.

“Është pikërisht ky angazhim që ka çuar në rritjen e stabilitetit, ndërsa institucionet dhe organizatat e sigurisë në Kosovë janë bërë më të afta. Kushtet aktuale ofrojnë një mundësi për të optimizuar më tej madhësinë dhe praninë e KFOR-it”, deklaroi ai.

Megjithatë, NATO ka theksuar se mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë së Kosovës dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke siguruar se nuk do të lejojë krijimin e asnjë vakumi sigurie.

Aleanca ka ritheksuar se KFOR-i do të vazhdojë të veprojë në përputhje me mandatin e tij të OKB-së, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.