Lajme

Përplasje mes Ramës dhe Muratit për projektin e tramvajit dhe autobusëve elektrikë në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar avancimin e transportit publik në kryeqytet përmes projektit të tramvajit dhe autobusëve elektrikë.

Rama ka bërë të ditur se janë mbështetur operatorët në procesin e financimit për blerjen e 15 autobusëve elektrikë dhe dy tramvajeve, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të transportit urban në Prishtinë.

Megjithatë, projekti ka nxitur reagim nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili ka vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e procedurave të ndjekura nga Komuna e Prishtinës.

Sipas Muratit, komuna nuk ka respektuar procedurat e parapara me legjislacionin në fuqi për partneritetet publiko-private.

“Komuna e Prishtinës nuk ka ndjekur asnjë procedurë që e obligon Ligji në fuqi, prandaj çfarëdo aranzhimi, marrëveshje apo kontrate që është nënshkruar në lidhje me këtë çështje, ajo është në shkelje të plotë të Ligjit për Partneritet Publiko Privat”, ka deklaruar Murati.

Ai ka kërkuar reagim nga institucionet përgjegjëse për zbatimin e ligjit.

“Organet e rendit do duhej të vepronin sa më parë në lidhje me këtë rast në mënyrë që të parandalohet keqpërdorimi i parasë publike”, është shprehur ministri në detyrë.

Debati mes Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Financave vjen në një kohë kur projekti i tramvajit po prezantohet si një nga investimet më ambicioze për transportin publik në kryeqytet.