Lajme

MINTI trajtoi 1,567 ankesa të konsumatorëve në gjashtëmujorin e parë të vitit

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka bërë të ditur se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit ka trajtuar gjithsej 1,567 ankesa të qytetarëve.

Sipas njoftimit të ministrisë, pjesa më e madhe e ankesave lidhen me keqllogaritjet në njehsorët elektrikë, problemet me garancionin dhe kthimin e mallrave, mospërputhjen e çmimeve ndërmjet rafteve dhe arkave në markete, si dhe me blerjet online dhe mosdorëzimin e produkteve sipas përshkrimit të ofruar.

MINTI vlerëson se numri i lartë i ankesave tregon se në shumë raste operatorët ekonomikë nuk po respektojnë plotësisht dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe të drejtat e garantuara të qytetarëve.

“Volumi i lartë i ankesave nga konsumatorët tregon se në një numër të konsiderueshëm rastesh operatorët ekonomikë nuk po i respektojnë në mënyrë të plotë dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe të drejtat e garantuara të qytetarëve si konsumatorë”, thuhet në njoftim.

Për këtë arsye, ministria ka theksuar nevojën për rritjen e mbikëqyrjes së tregut dhe ndërmarrjen e masave shtesë për forcimin e respektimit të të drejtave të konsumatorëve.

Ankesat e pranuara janë trajtuar në bashkëpunim me institucionet kompetente, përfshirë Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë të Kosovës (AUVK), Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) dhe Autoritetin Rregullator të Shërbimeve të Ujit (ARRU).

MINTI ka ritheksuar përkushtimin për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo shkelje të mundshme përmes numrit +383 (0) 46 311 000 në Viber ose në adresën elektronike konsumatori@rks-gov.net.