Lajme

Pas të shtënave në Çagllavicë, aksidentohet një Mercedes G-Class gjatë ikjes nga vendi i ngjarjes

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e kaluar në rrugën “Feriz Guri” në Çagllavicë, ku pas një incidenti me armë zjarri, një veturë e tipit Mercedes-Benz G-Class është aksidentuar gjatë tentativës për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Sipas informacioneve të para, automjeti fillimisht është përplasur me murin e një shtëpie dhe më pas me disa vetura të tjera të parkuara, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Nga pamjet e siguruara nga vendi i ngjarjes, shihet se pas përplasjeve vetura ka dalë jashtë rrugës dhe ka përfunduar e bllokuar në një livadh pranë zonës ku ndodhi incidenti.

Policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të rastit.

Autoritetet po hetojnë gjithashtu nëse automjeti i aksidentuar ka lidhje me plagosjen e raportuar në Çagllavicë dhe rolin e personave që ndodheshin në të në momentin e incidentit.

Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje shtesë lidhur me të dyshuarit apo motivet e ngjarjes, ndërsa hetimet janë në vazhdim.