Mbi 100 prokurorë në terren për të mbikëqyrur zgjedhjet, Prokuroria bën thirrje për raportimin e parregullsive

Mbi 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial janë angazhuar në të gjithë Kosovën për të monitoruar procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe për të garantuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve.

Sipas njoftimit të Prokurorit të Shtetit, prokurorët dhe stafi mbështetës do të jenë në gatishmëri gjatë gjithë ditës së votimit, me qëllim identifikimin dhe trajtimin e çdo parregullsie apo shkeljeje të mundshme zgjedhore.

Prokurorët janë vendosur në prokuroritë themelore në qytetet ku këto institucione kanë seli, ndërsa në komunat ku mungojnë objektet e prokurorisë, ata do të veprojnë nga stacionet policore në koordinim me hetuesit e Policisë së Kosovës.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, po mbikëqyr nga afër punën e koordinatorëve rajonalë dhe të prokurorëve të angazhuar në procesin zgjedhor, si dhe koordinimin me përfaqësuesit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ndërkohë, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve, partive politike, institucioneve dhe organizatave që të raportojnë çdo rast të dyshuar për manipulim, keqpërdorim apo cenim të votës.

Sipas Prokurorit të Shtetit, çdo informacion i pranuar lidhur me parregullsi të mundshme do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi, me synim ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve.