Lajme

LDK-ja në Pejë kërkon dorëheqjen e Lumir Abdixhikut pas rezultatit zgjedhor

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Pejë ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, pas analizës së rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

Përmes një njoftimi, dega bëri të ditur se Kryesia ka mbajtur mbledhje ku është diskutuar rezultati zgjedhor, ndërsa me shumicë votash është kërkuar reflektim i thellë politik dhe marrja e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë.

“Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja”, thuhet në reagim.

Sipas Kryesisë së Degës në Pejë, një veprim i tillë do të ishte në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë.

Ky është rasti i parë kur një degë e rëndësishme e LDK-së kërkon publikisht dorëheqjen e Abdixhikut pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Kërkesa vjen në një kohë kur brenda partisë po zhvillohen diskutime për rezultatin zgjedhor dhe drejtimin e ardhshëm politik të LDK-së.