Kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Lipjan ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, duke e cilësuar atë si një akt përgjegjësie politike pas rezultatit të zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Pas një analize të detajuar të rezultateve zgjedhore dhe gjendjes organizative brenda partisë, dega e Lipjanit vlerësoi se rezultati në nivel vendi kërkon reflektim dhe reforma të brendshme në të gjitha nivelet e organizimit.
Në reagimin e publikuar thuhet se përgjegjësia për rezultatin nuk mund t’u atribuohet vetëm strukturave lokale, por duhet të shihet edhe në kontekstin e organizimit dhe funksionimit të partisë në nivel qendror.
“Pas një diskutimi të gjatë dhe një analize të detajuar të secilës qendër votimi në Degën e Lipjanit, Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre”, thuhet në reagim.
Kjo është dega e dytë e LDK-së që kërkon largimin e Abdixhikut nga drejtimi i partisë, pasi më herët një kërkesë të ngjashme kishte bërë edhe Dega e Pejës.



