Lajme

Lutfi Haziri: LDK-ja mbetet pas Vjosa Osmanit për presidente, nuk shqyrtojmë alternativa

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij vazhdon ta mbështesë Vjosa Osmanin për postin e Presidentes së Kosovës dhe nuk është duke shqyrtuar kandidatura të tjera.

Në një prononcim për Kallxo.com, Haziri tha se LDK-ja tashmë e ka nominuar kandidaten e saj përmes një procesi të rregullt zgjedhor dhe se mbetet e gatshme të diskutojë për këtë çështje sa herë që hapet tema e zgjedhjes së presidentit.

“Ne e kemi kandidaten. E kemi nxjerrë në proces zgjedhor të rregullt. Nominimi ka qenë publik. Në çdo kohë që bisedohet për këtë çështje, LDK është e gatshme”, ka deklaruar Haziri.

I pyetur se çfarë do të ndodhte nëse kandidatura e Osmanit nuk do të mbështetej nga Lëvizja Vetëvendosje, ai tha se LDK-ja nuk po mendon për alternativa apo emra të rinj për postin e presidentit.

Haziri përjashtoi gjithashtu mundësinë që partia e tij të tërhiqet nga kandidatura e Osmanit në favor të një figure konsensuale.

“Ne nuk njihemi për çështje të tilla”, u shpreh ai.

Deklaratat e Hazirit vijnë pasi Vjosa Osmani, menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor, kishte thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë arsye për të mos e propozuar atë për një mandat të ri presidencial. Një ditë më vonë, ajo deklaroi se nuk do të jetë pengesë për krijimin e institucioneve të reja të vendit.

Qëndrimi i LDK-së duket se konfirmon se partia mbetet e vendosur në mbështetjen e Osmanit, pavarësisht zhvillimeve politike dhe diskutimeve rreth formimit të institucioneve pas zgjedhjeve.