Lajme

Lamallari reagon për protestuesit nga Kosova: Flamuri i UÇK-së nuk përdoret kundër Shqipërisë

Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka reaguar pas debatit të krijuar rreth pjesëmarrjes së disa shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat kundër qeverisë në Tiranë.

Përmes një postimi në Facebook, Lamallari theksoi se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, ndërsa shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor shtetformues në vendin e tyre.

Ai kritikoi ata që, sipas tij, janë paraqitur si “diasporë” në protestat e mbajtura në Tiranë, duke theksuar se termi nuk mund të përdoret për qytetarët që vijnë nga Kosova apo Maqedonia e Veriut.

Lamallari u ndal veçanërisht te përdorimi i flamurit të UÇK-së gjatë protestave, duke kujtuar se kryeministri Edi Rama kishte kërkuar publikisht njohjen e pavarësisë së Kosovës në Beograd dhe se simboli i luftës çlirimtare nuk duhet të përdoret për përçarje mes shqiptarëve.

Në fund të reagimit të tij, ai theksoi se shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë gjithmonë të mirëpritur në Shqipëri, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të sigurisë së Shqipërisë dhe Kosovës për paqen dhe stabilitetin në rajon.