Lajme

Kurti: Pas certifikimit të rezultateve nisim diskutimet për Qeverinë e re dhe Presidentin

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve do të nisin diskutimet për formimin e institucioneve të reja të vendit.

Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të martën, Kurti tha se prioritet do të jenë konstituimi i Kuvendit, formimi i Qeverisë së re dhe zgjedhja e Presidentit ose Presidentes së Kosovës.

“Porsa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja: konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e Presidentit apo Presidentes”, deklaroi Kurti.

Ai ritheksoi se Kosova nuk kishte nevojë për zgjedhjet e fundit, duke shtuar se rezultati i tyre e ka konfirmuar këtë qëndrim.

Sipas Kurtit, rezultati zgjedhor duhet të pranohet dhe të respektohet nga të gjitha subjektet politike, ndërsa vullneti i qytetarëve duhet të përkthehet në institucione funksionale dhe demokratike.

“Qytetarët folën sërish qartë. Rezultati duhet të pranohet e të respektohet, dhe vullneti i popullit të zbatohet e të përkthehet në institucione funksionale e demokratike”, tha ai.

Kurti shtoi se institucionet e reja duhet të fokusohen në zhvillimin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve, arsimin, shëndetësinë, sigurinë, mbrojtjen dhe realizimin e investimeve të mëdha infrastrukturore.