Kroacia ka shprehur gatishmërinë për të rritur numrin e ushtarëve të saj në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), në një kohë kur po diskutohen planet për zvogëlimin e pranisë ushtarake amerikane në Evropë.
Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anusiç, ka lënë të kuptohet në Bruksel se Zagrebi është i gatshëm të kontribuojë më shumë në KFOR. Sipas raportimeve, disa vende evropiane po shqyrtojnë mënyrat se si mund të mbushin boshllëkun që mund të krijohet pas një tërheqjeje të pjesshme të forcave amerikane nga kontinenti.
Ndërkohë, Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, gjenerali Alexus G. Grynkewich, ka bërë të ditur se po hartohen plane për reduktimin e madhësisë së misionit të KFOR-it në Kosovë.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka konfirmuar se numri i ushtarëve në Kosovë pritet të bjerë nga rreth 4,700 aktualisht në afërsisht 3,000 deri në 3,500, sa ishte para zhvillimeve të vitit 2023.
Në të njëjtën kohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka ritheksuar se SHBA-ja po redukton praninë e saj në Evropë dhe pret që aleatët evropianë të marrin më shumë përgjegjësi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.



