Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar përditësimin më të fundit lidhur me procesin e verifikimit dhe numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit 2026.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, deri të premten në orën 09:00 janë procesuar 2,349 nga gjithsej 2,498 vendvotime, që përbën 94.04 për qind të totalit në nivel vendi.
“Procesi i verifikimit dhe numërimit ka përfunduar në 35 Qendra Komunale të Numërimit, ndërkaq numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara është 2,349 nga 2,498 vendvotime apo 94.04%”, ka deklaruar Elezi.
Sipas KQZ-së, procesi ende nuk është përmbyllur në tri Qendra Komunale të Numërimit:
- Gjilan – 112 nga 127 vendvotime të procesuara
- Prizren – 202 nga 232 vendvotime të procesuara
- Prishtinë – 158 nga 262 vendvotime të procesuara
Në total, në këto tri komuna kanë mbetur edhe 149 vendvotime për t’u procesuar.
KQZ ka bërë të ditur se të dhënat nga secili vendvotim po publikohen në kohë reale në platformën zyrtare të rezultateve sapo të përfundojë procesi i verifikimit dhe numërimit.
Brenda katër ditëve nga dita e zgjedhjeve, procesi është përmbyllur në 35 nga 38 Qendra Komunale të Numërimit, duke lënë vetëm Prishtinën, Prizrenin dhe Gjilanin si komunat ku puna ende po vazhdon.
Rezultatet mbeten preliminare deri në përfundimin e plotë të numërimit dhe certifikimin zyrtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.



