Lajme

KQZ: Përfundon numërimi në 28 komuna, janë procesuar gati 85% e vendvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i verifikimit dhe numërimit të votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026 ka përfunduar në 28 Qendra Komunale të Numërimit (QKN).

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, deri të enjten në ora 09:00 janë procesuar 2,118 nga gjithsej 2,498 vendvotime në nivel vendi, që përbën 84.79 për qind të totalit.

“Procesi i verifikimit dhe numërimit ka përfunduar në 28 Qendra Komunale të Numërimit, ndërkaq numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara është 2,118 nga 2,498 vendvotime apo 84.79%”, ka deklaruar Elezi.

Megjithatë, procesi ende nuk është përmbyllur në 10 komuna, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Ferizajn, Gjakovën, Gjilanin dhe Podujevën.

Komunat ku procesi vazhdon janë:

  • Fushë Kosovë (56/62)
  • Suharekë (73/86)
  • Vushtrri (79/89)
  • Mitrovicë e Jugut (98/100)
  • Podujevë (103/103)
  • Gjilan (80/127)
  • Gjakovë (116/144)
  • Ferizaj (126/146)
  • Prizren (133/232)
  • Prishtinë (107/262)

Ndërkohë, numërimi dhe verifikimi i votave tashmë ka përfunduar në 28 komuna të tjera, përfshirë Pejën, Lipjanin, Istogun, Skenderajn, Malishevën, Rahovecin, Deçanin, Klinën, Kaçanikun dhe komunat me shumicë serbe.

KQZ ka bërë të ditur se pas përfundimit të numërimit në secilin vendvotim, rezultatet po transmetohen në kohë reale në platformën zyrtare të rezultateve.

Procesi i numërimit po vazhdon, ndërsa rezultatet mbeten preliminare deri në përfundimin e plotë të procedurave zgjedhore dhe certifikimin e rezultateve përfundimtare.