Lajme

KQZ: Janë procesuar mbi 98% e vendvotimeve, numërimi vazhdon vetëm në Prishtinë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i verifikimit dhe numërimit të votave për kandidatët për deputetë po vazhdon vetëm në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri të shtunën në orën 09:00 janë proceduar 214 nga gjithsej 262 vendvotime në Komunën e Prishtinës.

“Deri më tani (e shtunë, 13 qershor 2026, ora 09:00) procesi i verifikimit dhe numërimit është duke vazhduar në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, ku janë proceduar 214 nga 262 vendvotimet e kësaj komune. Numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara dhe që i takojnë të gjitha QKN-ve (38) është 2,450 nga 2,498 vendvotime apo 98.08%”, ka deklaruar Elezi.

Sipas të dhënave të KQZ-së, deri tani janë procesuar 98.08 për qind e vendvotimeve në nivel vendi, ndërsa kanë mbetur edhe 48 vendvotime për t’u verifikuar dhe numëruar në kryeqytet.

Prishtina është komuna e fundit ku po zhvillohet ende procesi i numërimit, ndërsa në 37 Qendrat e tjera Komunale të Numërimit procesi tashmë është përmbyllur.

Pas përfundimit të numërimit në Prishtinë, KQZ-ja pritet të vazhdojë me fazat e tjera të procesit zgjedhor deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare.