Lajme

KQZ në pritje të vendimeve për ankesat, rezultatet përfundimtare ende pa datë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se ende nuk mund të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, pasi është në pritje të përfundimit të procedurave ankimore.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se shpallja e rezultateve varet nga shqyrtimi i ankesave dhe vendimet që do të marrin institucionet kompetente.

Sipas tij, pas marrjes së këtyre vendimeve do të vlerësohet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në para shpalljes së rezultateve përfundimtare.

Ndërkohë, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë dorëzuar dy ankesa që lidhen me procesin e rinumërimit të votave. Të dyja ankesat janë paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

PZAP ka afat prej tri ditësh për të shqyrtuar dhe vendosur lidhur me këto ankesa, pas përfundimit të afatit 48-orësh për dorëzimin e tyre.