Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur procesin e numërimit të të gjitha fletëvotimeve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 7 qershor, brenda afatit prej 10 ditësh pas ditës së votimit.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, gjatë një konference për media në përfundim të procesit të numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Sipas Elezit, numërimi i votave me postë nga diaspora është përmbyllur të mërkurën në orën 14:30, ndërsa procesi i numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta ka përfunduar në orën 18:30.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka arritur që në ditën e 10 pas zgjedhjeve të përmbyllë numërimin e të gjitha fletëvotimeve që i takojnë zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Elezi.
Ai sqaroi se shpallja e rezultateve përfundimtare varet nga afati ligjor për ankesa. Sipas tij, subjektet politike dhe palët e interesuara kanë të drejtë të paraqesin ankesa brenda 48 orëve nga momenti i pretenduar i shkeljes.
“Nëse brenda 48 orëve nuk do të ketë ankesa lidhur me administrimin e numërimit në ditën e fundit, KQZ është e gatshme të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare”, tha Elezi.
Ndërkohë, KQZ ka vendosur të rinumërojë 185 vendvotime të rregullta, që përbëjnë 7.41 për qind të gjithsej 2,498 vendvotimeve në nivel vendi. Sipas Elezit, ky veprim është masë kontrolli për të garantuar saktësinë e procesit zgjedhor dhe për të adresuar problemet e evidentuara në proceset e mëparshme të numërimit.
Gjatë periudhës 8–17 qershor, në 38 Qendra Komunale të Numërimit është bërë verifikimi i rezultateve dhe numërimi i votave për kandidatët për deputetë, ndërsa në QNR janë numëruar votat nga përfaqësitë diplomatike, votat me postë, votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta. Raporton Ekonomia Online.



