Lajme

Katër ministri të Qeverisë Kurti 3 pa buxhet, ekspertët paralajmërojnë vështirësi në funksionim

Katër ministritë e reja të krijuara në kuadër të Qeverisë “Kurti 3” po përballen me mungesë buxheti, pasi rishikimi i buxhetit shtetëror ende nuk është realizuar për shkak të moskonstituimit të institucioneve të reja.

Kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e ministrive të sapokrijuara, duke vështirësuar realizimin e projekteve dhe ushtrimin e kompetencave të tyre.

Sipas hulumtuesit të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Melos Kolshi, mungesa e fondeve të dedikuara e bën pothuajse të pamundur funksionimin normal të këtyre institucioneve.

Ai thekson se rishikimi i buxhetit është mekanizmi kryesor për rishpërndarjen e mjeteve financiare dhe sigurimin e fondeve për institucionet e reja qeveritare.

Përveç ministrive, pasojat e kësaj situate po ndihen edhe në nivel lokal. Komunat po hasin vështirësi në realizimin e nevojave dhe projekteve të tyre, pasi nuk po mund të marrin miratimet e nevojshme financiare nga Ministria e Financave.

Ekspertët vlerësojnë se zvarritja e konstituimit të institucioneve mund të ndikojë negativisht në funksionimin e administratës publike dhe në realizimin e projekteve zhvillimore në vend.