20.04.2026
Në Gjykatën Themelore ka nisur seanca e radhës për sulmin terrorist në Banjskë, ngjarje kjo që tronditi themelet e sigurisë së shtetit dhe shënoi një ditë të zezë për Kosovën. Para trupit gjykues janë paraqitur tre të akuzuarit: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Të akuzuarit po përballen me një sërë akuzash të rënda lidhur me pjesëmarrjen e tyre në grupin terrorist që organizoi sulmin e armatosur më 24 shtator 2023. Ky sulm, përveç dëmit ndaj integritetit territorial, mbetet në kujtesën kolektive si ngjarja ku në krye të detyrës, duke mbrojtur rendin dhe ligjin, u vra heroi Afrim Bunjaku.
Seanca ka karakter vendimtar për ecurinë e mëtejshme të procesit gjyqësor. Trupi gjykues pritet të vazhdojë shqyrtimin e provave dhe dëshmive të mbledhura nga Prokuroria Speciale, në një përpjekje për të zbardhur rolin e secilit të akuzuar në atë që është cilësuar si një tentativë për destabilizim të vendit.
Drejtësia për rreshterin Bunjaku dhe zbardhja e plotë e skenarit që çoi në atë sulm mbeten prioriteti kryesor i këtij procesi gjyqësor, që po përcillet me vëmendje maksimale nga opinioni publik në vend.