Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja në vend, duke theksuar se vonesat po ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e komunave.
Sipas tij, krijimi i institucioneve qendrore është jetik për zgjidhjen e një sërë çështjesh që prekin pushtetin lokal, përfshirë problemet ligjore dhe financiare me të cilat po përballen komunat.
“Në këtë periudhë, komunat po përballen me sfida të shumta, duke filluar nga zbatimi i kontratave kolektive, përmbarimi i vendimeve gjyqësore, financimi i kompetencave komunale, si dhe miratimi i legjislacionit që ndikon drejtpërdrejt në pushtetin lokal”, ka deklaruar Ibrahimi për IndeksOnline.
Ai ka theksuar se formimi i institucioneve është i domosdoshëm edhe për rishikimin e buxheteve komunale për vitin 2026. Sipas tij, shumë komuna kanë nevojë të ridestinojnë mjete buxhetore për të përballuar barrën financiare të krijuar nga kontratat kolektive dhe për të adresuar nevojat e qytetarëve.
Ibrahimi ka vënë në pah edhe rëndësinë e funksionalizimit të institucioneve për përfitimin e komunave nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.
“Komunat janë bartëse të shumë reformave dhe investimeve në terren. Mungesa e institucioneve funksionale mund të ngadalësojë proceset reformuese, të vonojë projektet zhvillimore dhe të kufizojë mundësitë për tërheqjen e fondeve evropiane”, ka thënë ai.
Sipas drejtorit të AKK-së, çështje të rëndësishme si kontratat kolektive, krijimi i grantit të katërt për investime kapitale, forcimi i dialogut në nivel lokal dhe avancimi i reformës së financave lokale kërkojnë vendimmarrje të shpejtë në nivel qendror.
Ai ka shtuar se nevoja për institucione stabile dhe funksionale është bërë edhe më e madhe, pasi qytetarët presin zgjidhje konkrete dhe zhvillim më të shpejtë në nivel lokal.



