Lajme

Tragjedi në Ulqin: Humb jetën një 17-vjeçar nga Malisheva gjatë punës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Ulqin, ku ka humbur jetën një i mitur 17-vjeçar nga fshati Drenovc i Komunës së Malishevë.

Sipas informacioneve fillestare, i riu dyshohet se ka rënë nga një skelet ndërtimi gjatë kohës sa ishte duke punuar, duke pësuar lëndime të rënda trupore.

Pavarësisht përpjekjeve për t’i ofruar ndihmë, lëndimet e marra rezultuan fatale dhe 17-vjeçari humbi jetën.

Rrethanat e plota të ngjarjes ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa autoritetet kompetente në Mal të Zi pritet të zhvillojnë hetime për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat që çuan në këtë aksident tragjik.

Lajmi ka tronditur familjarët, miqtë dhe bashkëvendësit e viktimës në Drenovc dhe Malishevë.