Lajme

Hoti pas reagimeve të VV-së: Pse frikësoheni nga qytetarët?

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar sërish lidhur me projektin amerikan të gazit, pas kritikave që mori nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje për thirrjen e tij që qytetarët të organizohen dhe të shprehin pakënaqësinë për këtë çështje.

Përmes një postimi publik, Hoti tha se zyrtarët e pushtetit nuk reaguan ndaj qëndrimeve të administratës amerikane dhe Odës Ekonomike Amerikane për projektin e gazit, por reaguan menjëherë kur u përmend mundësia e protestave qytetare.

“Pyetja është e thjeshtë: pse frikësoheni nga qytetarët?”, ka shkruar Hoti, duke theksuar se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duhet të trajtohet si çështje e politikës ditore.

Debati për përfshirjen e Kosovës në projektet e gazit të lëngshëm natyror amerikan ka nxitur reagime të shumta ditëve të fundit, ndërsa opozita dhe përfaqësues të biznesit kanë kërkuar një qasje më të afërt me iniciativat e mbështetura nga SHBA-ja.